Basketboll

Një tjetër Gasol te Lakers, Marc zgjedh të ndjekë gjurmët e vëllait Pau!

Los Angeles Lakers nuk ndalen dhe drejtuesit e franchise-t të famshëm kalifornian firmosën me një ndër mbrojtësit më të mirë të botës, Marc Gasol. Më 11 tetor në Florida, në ESPN Wide World of Sports Complex, në Bay Lake pranë Qytetit të Orlandos, më saktë në AdventHealth Arena Lakers fituan 106-93, duke mbyllur përfundimisht me rezultatin 4-2 edhe serinë ndaj Miami Heat. Për herë të fundit trofeun Larry O’Brien ekipi kalifornian e kishte fituar një dekadë më parë, sidoqoftë një titull shumë i rëndësishëm për Lakers, në një sezon të gjatë dhe vërtet tepër të vështirë për gjithë fansat, jo vetëm prej pandemisë së koronavirusit por gjithashtu edhe prej humbjes së kapitenit legjendar dhe njërit prej basketbollistëve më të mirë të historisë së NBA Kobe Bryant, që humbi jetën në rrethana tragjike në një aksident me helikopter bashkë me vajzën e tij Gianna, 6 miq të familjes si dhe vetë pilotin.

Lakers kanë në gjirin e tyre një emër si Rob Pelinka, që ka një meritë të jashtëzakonshme në ngritjen e këtij franchise në nivelet ku edhe e meriton. 50-vjeçari nga Chicago u emërua në marsin e vitit 2017 si menaxheri i përgjithshëm i ekipit, ndërsa në janarin e vitit 2020 Rob Pelinka mori gjithashtu edhe postin e zëvendëspresidentit të Los Angelos Lakers. Pas afrimit të LeBron James në vitin 2018 dhe Anthony Davis një vit më pas tani është koha për të parë gjithashtu edhe veteranin spanjoll Marc Gasol me fanellën e “liqenorëve”. Nën drejtimin e trajnerit Frank Vogel dhe falë dyshes James–Davis Lakers siguruan titullin e tyre të 17-të, duke u barazuar në krye në listën e skuadrave më të suksesshme të NBA pikërisht me franchise-n nga Massachusetts Boston Celtics, megjithatë oreksi vjen duke ngrënë dhe me sa kuptohet drejtuesit e ekipit tani synojnë të hapin një cikël të gjatë fitues në kampionatin më të bukur dhe më spektakolar në rruzull.

 

Mbrojtësi më i mirë i sezonit 2012-2013 në NBA Marc Gasol firmosi një kontratë 2-vjecare me Lakers. Basketbollisti i mirënjohur spanjoll fitoi titullin në vitin 2019 me Toronto Raptors, ndërsa edicionin e fundit 35-vjecari iberik shkëlqeu përsëri, duke patur parasysh që me të në parket në sezonin 2019-20 ekipi kanadez lejoi vetëm 98,9 pikë në 100 zotërime. Normalisht rroga më e ulët vjetore e një veterani në NBA vlen afërsisht 1,6 milionë dollarë, megjithatë Marc Gasol ka rënë dakord për për të përfituar minimumin e mundshëm që mund të marrë në NBA një lojtar me përvojë 10-vjeçare, pra 2,56 milionë dollarë në vit. Marc Gasol, që më herët kishte folur mbi një rikthim të mundshëm në Evropë u mor nga menaxheri i përgjithshëm Rob Pelinka pikërisht për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i dyshes McGee– Howard. Qendra JaVale McGee u transferua te Cleveland Cavaliers dhe te franchise nga Ohio do të zhvendoset gjithashtu edhe përzgjedhja e raundit të dytë e Los Angeles Lakers, ndërsa lojtari tjetër që mbulonte këtë pozicion te “liqenorët” Dwight Howard firmosi për Philadelphia 76ers.

 

Në krahun tjetër Jordan Bell dhe Alfonzo McKinnie do të kalojnë nga Cavaliers te Lakers, duke e ngjitur në këtë mënyrë në 10 numrin e lojtarëve nën kontratë, por sidoqoftë ky numër pritet të rritet shumë shpejt në 11, kur Anthony Davis të firmosë, duke shtyrë edhe me një tjetër sezon qëndrimin e tij në radhët e franchise-t të famshëm kalifornian. Kështu basketbollisti i mirënjohur spanjoll rikthehet te Lakers pas plot 13 vjetësh. Marc Gasol është aktivizuar nga korriku i 2008 deri në shkurtin e 2019-ës në radhët e franchise-t nga Tennessee Memphis Grizzlies, megjithatë të drejtën e këtij lojtari në vitin 2007 e kishte fillimisht ekipi kalifornian, që këmbeu dy vëllezërit, duke tërhequr vëllain e madh Pau Gasol, i cili mbajti veshur për plot 6 sezone fanellën e Lakers, ndërsa në Mississippi drejtuesit dërguan pikërisht Markun, që asokohe ishte vetëm 23 vjeç.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency