Njeriu i momentit, Uzuni vlersësohet si më i miri i javës në Kroaci
Myrto Uzuni po kalon një moment vërtetë të artë. Ky sezon është për t’u vendosur në kornizë për sulmuesin anësor. Fillimisht i dha kualifikimin Laçit në Europa League ndaj Anorthosis me golin e tij, më pas i realizoi Skënderbut në Korçë duke u dhënë një pikë me vlera bardhezinjëve. Vetëm 1 ditë më pas Uzuni u transferua te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. Fitoi menjëherë besimin e trajnerit duke u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te skuadra e tij e re. Pas golit të parë dhe aktivizimit si titullar në disa ndeshje radhazi erdhi edhe grumbullimi në kombëtaren shqiptare nga Christian Panucci. U aktivizua në pjesën e dytë në miqësoren ndaj Jordanisë në një ndeshje ku fati nuk ishte me të pasi u ndal nga shtylla. Ëndrra e tij u bë realitet me Uzunin që u aktivizua titullar që në ndeshjen e tij të parë zyrtare me kombëtaren shqiptare duke qenë një lojtarët më të mirë në fushë të kuqezinjëve në humbjen 2-0 ndaj Izraelit. Dhe menjëherë pas asaj sfide shqiptari realizoi një gol dhe dha 1 asist në fitoren 2-0 të Lokomotivës së Zagrebit ndaj gjigandëve kroatë të Hajdukut të Splitit. Një paraqitje e shkëlqyer e Uzunit që pasi u përfshi në formacionin më të mirë të javës është përzgjedhur dhe lojtari më i mirë i raundit të 11-të. Menjeherë pas këtij vlerësimi 23-vjeçari nga Berati foli për faqen zyrtare të klubit të Lokomotivës ku nuk e fshehu lumturinë e tij.
“Ndihem mirë pas fitores kundër Hajdukut. Jam i gëzuar që jam zgjedhur lojtari i javës. Por pa ndihmën e shokëve nuk do të kisha bërë një ndeshje të mirë. U shfaqëm si ekip i madh dhe e kontrolluam ndeshjen ndaj Hajdukut”.Sekreti i përshtatjes? Isha me fat që të gjithë ne kemi qenë fantastikë që në ditën e parë. Gjithashtu dua të shtoj se kam ardhur në një ekip të shkëlqyer, me një trajner të shkëlqyer. Kemi lojtarë me cilësi të mira dhe vërtetë po e shijoj këtë eksperiencë të re që kam nisur te Lokomotiva”.



