Nuk bindi te Roma, Pau Lopez transferohet te Marseille
Ndërkohë që Jose Mourinho përveshi mëngën dhe nisi punën si trajner i Romës, drejtuesit e klubit verdhekuq vijojnë të lëvizin në merkato, për të larguar futbollistët që nuk bëjnë pjesë në planet e portugezit dhe për të afruar emra të tjerë me peshë.
Kështu pasditen e sotme u zyrtarizua kalimi i portierit spanjoll Pau Lopez te Marseille. Gardiani i ardhur nga Real Betis nuk bindi në aventurën e tij me verdhekuqtë dhe tani do të provojë një eksperiencë të re te klubi francez.
Formula e transferimit është ajo e huazimit një vjeçar, me klubin francez që ka ruajtur të drejtën e blerjes për 11 milionë euro, nëse Pau Lopez do të bindë me paraqitjet e tij. Ndërkohë Mourinho duket se ka zgjedhur patriotin e tij, Rui Patricio, për t’i besuar mbrojtjen e katërkëndëshit të Romës.



