Nuk del në stërvitje, por “Djajtë e Kuq” nuk i hapin “luftë” Ronaldos
Cristiano Ronaldo nuk do të gjobitet nga Man. United për mosdaljen e tij në stërvitje dhe gjithashtu klubi ka vendosur të mos marrë asnjë masë edhe për vendimin e tij më të fundit për të braktisur ekipin në turneun parasezonal në Tajlandë dhe Australi.
Skuadra e drektuar nga Ten Hag do të udhëtojë të premten drejt Tajlandës dhe Ronaldo i ka komunikuar klubit se ndodhet në Lisbonë për arsye familjare dhe gjithashtu dëshirën e tij për t’u larguar në merkaton verore. Pavarësisht këmbënguljes për ta mbajtur në ekip “yllin” portugez, sulmuesi e ka marrë vendimin dhe shpreson se agjenti i tij së shpejti do të zgjidhë problemin me “Djajtë e Kuq”.
Klubi anglez rregullat i ka të qarta në momentin kur një lojtar braktis stërvitjen, por, pavarësisht kësaj Man. United ka vendosur që të mos ndërmarrë asnjë hapë ndaj portugezit edhe pse 37-vjeçari ka shkelur haptazi rregullat e klubit.
Mungesa e Ronaldos në turneun parasezonal përkthehet edhe në dëme financiare, pasi do të ndikojë në shitjen e biletave dhe bluzave. Ronaldo ishte përzgjedhur si posteri i turneut të Man. United dhe ndikim gjithashtu do të ketë në pjesëmarrje pasi mungesa e tij do të zhgënjejë fansat e shumtë të pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Ambiciet e 37-vjeçarit për të treguar vlerat e tij në nivele të larta e kanë detyruar atë të ndërmarrë këtë zgjidhje, pasi Ronaldo dëshiron që në sezonin e ri të luajë përsëri në Champions League dhe të sigurojë trofe të tjerë deri në mbyllje të karrierës.



