“Nuk kam frikë”, tenisti më i vjetër në botë: Do qëndroj në Ukrainë, kam luftuar kundër nazistëve
Leonid Stanislavskyi, tenisti më i vjetër në botë, ka thënë se ai do qëndrojë në Ukrainë dhe do të luftojë kundër Rusisë, në vend që të arratiset në një vend fqinj.
97-vjeçari, i cili mban Rekordin Botëror të Guinnessit si tenisti më e vjetër në botë, ishte një prej emrave më të lakuar në media vitin e kaluar, pasi luajti me 21 herë kampionin e Grand Slam, Rafael Nadal.
Stanislavskyi thotë se nuk ka ndërmend të largohet nga vendlindja e tij Ukraina edhe pse vendi është duke u pushtuar nga Rusia.
“Unë nuk kam frikë nga askush… Unë shpresoj se lufta do të përfundojë dhe ashtu do të jem në gjendje të luaj tenis. Vajza ime Tanya është në Poloni, ajo dëshiron të më çojë atje. Por vendosa të qëndroj këtu. Nëse do të mund të shkoja në Poloni do të luaja atje, por vendosa të qëndroj në shtëpi dhe të pres fundin e luftës. Kam dëgjim të keq, kështu që fle natën dhe nuk dëgjoj asgjë. Mbrëmë ka pasur bombardime, në mëngjes ka pasur sërish sirena të sulmit ajror. Shpresoj të jetoj për të arritur 100. Më duhet t’i mbijetoj kësaj situate të frikshme,” -tha Stanislavskyi për “Reuters”.
Veterani, që i shpëtoi Luftës së Dytë Botërore, ishte një inxhinier që ndihmoi në ndërtimin e avionëve sovjetikë për të luftuar Gjermaninë naziste.
“Kurrë nuk e kam menduar se do të më duhet të jetoj një luftë tjetër, më të frikshme, ku njerëzit nga të dyja palët po vdesin, nënat po humbasin fëmijët e tyre, gratë po humbasin djemtë dhe burrat e tyre. Çfarë është kjo? Çfarë dobie ka? Në shekullin e 21 nuk mund të ketë luftë. Lufta duhet të ndalet, duhet të arrihet një marrëveshje.”-shtoi ai.
Një përfundim i shpejtë i konfliktit do t’i mundësonte Stanislavskyit të paraqitet ndoshta në Kampionatin Botëror të ardhshëm të Seniorëve në Florida muajin e ardhshëm. Veterani është i vendosur të rifillojë të luajë këtë sport pasi të përfundojë lufta.
“Tenisi është jeta ime, fati im”, -theksoi ai.



