Nuk ndëshkuan Otamendin, pezullohen arbitrat e Argjentinë-Brazil
Klasikja e futbollit amerikano-latin, Argjentinë-Brazil përfundoi në barazim pa gola, megjithatë një pikë u mjaftoi “albicelestëve” të sigurojnë biletën për në Katar 2022.
Megjithatë polemikat për sfidën vijojnë ende, pasi trajneri i Brazilit, Tite akuzoi arbitrat se kushtëzuan ecurinë e ndeshjes me vendimet e tyre, ndërsa së fundi edhe CONMEBOL mori masa, duke pezulluar dy gjyqtarët e takimit.
Bëhet fjalë për kryesorin Andres Cunha dhe arbitrin e VAR-it, Esteban Ostojich të cilët u pezulluan për një sërë gabimesh gjatë ndeshjes, e mbi të gjitha, për mungesën e një kartoni të kuq ndaj mbrojtësit argjentinas Nicolas Otamendi.
Ky i fundit i dha një goditje me brryl brazilianit Cunha, në tentativë për të mbrojtur topin, por pavarësisht sinjalizimit nga VAR-i, arbitri kryesor nui e pa të arsyeshme të ndëshkojë mbrojtësin argjentinas.
Vendimi për pezullimin pa afat të dy arbitrave ka detyruar CONMEBOL të ndryshojë edhe gjyqtarin e finales së Kupës Amerikano-jugore mes Atletico Paranense dhe Bragantinos.



