“Oferta nga shumë klube”, Aliaj zbulon të ardhmen e Amir Rrahmanit
Pas një viti të vështirë nën drejtimin e Gennaro Gattusos, Amir Rrahmani ka rilindur me Luciano Spalletin në pankinën e Napolit dhe është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm, në krah të një gjiganti si Koulibaly.
Me plot 31 ndeshje si titullar dhe 4 gola të shënuar, Rrahmani është shndërruar në një pikë fikse të formacionit të napolitanëve dhe drejtuesit e klubit janë duke lëvizur për t’i rinovuar kontratën edhe për 5 sezonet e ardhshme.
Konfirmimin e ka dhënë vetë menaxheri i Rrahmanit, ish mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Aliaj, që duke folur për “koha.net” në Kosovë, ka thënë se këto ditë pritet një takim zyrtar me drejtuesit e Napolit.
“Rrahmani do të vijojë eksperiencën te Napoli, pasi po luan dhe ndihet shumë mirë. Në javët e ardhshme do të kemi një takim zyrtar me drejtuesit e klubit, për të rinovuar kontratën deri në 2027-ën. Ka interes edhe nga klube të tjera, por Amiri do të vazhdojë të qëndrojë te Napoli”, ka thënë Aliaj.



