“Oh, sa më vjen për të qeshur”, Memelli: Goli ynë i rregullt, Musta ishte për të kuq
Skënderbeu zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por doli pa pikë nga sfida me Partizanin. “Demat” fituan 2-1 në “Air Albania”, teksa trajneri i ekipit korçar, Migen Memelli, komentoi gjatë ndeshjen e sotme për “Gol pas Goli” në Superport, duke u ndalur edhe te episodet e shumta.
“Janë tre momentet e dyshimta. Goli i anuluar? Oh, sa më vjen për të qeshur! Nuk e ka prekur me dorë, topi bie në kurriz të Jean Victor dhe shkon në rrjetë. Arbitri e anuloi direkt, pa marrë një sinjal nga VAR-i.
Lojtari më tha: nuk e kam prekur topin me dorë. Po të diskutohet për bërrylin, atëherë këta që marrin vendimet duhet të më thonë që prekja me dorë e Asion Dajës në Kamzë ishte penallti, dhe nuk u dha.
Mungon një karton i kuq për Partizanin te penalltia. Qajnë për arbitra këta… Goli i dytë i Partizanit? Musta merr pjesë në aksion, ka ulur kokën.
Nuk e filluam mirë ndeshjen, në 20 minutat e para. E morëm pak veten, barazuam. Morëm një gol në standarde që nuk duhet ta kishim marrë, pasi kishim punuar shumë.
Ndryshuam në pjesën e dytë, kishim probleme te Dwoumfour. Pjesa e dytë ka folur vetëm për ne. Kam vetëm fjalë të mëdha për skuadrën, sot kanë bërë një ndeshje të jashtëzakonshme në pjesën e dytë, për gati 60 minuta.
Ajo çka më jep siguri e besim, është performanca. Kishim ardhur për të marrë maksimumin, por disa faktorë na penalizuan sot.
Penalltia? Ndeshjet i kam të paracaktuara, besojmë te Meksi gjithmonë. Njerëz humanë janë, do të humbasin, shpresojmë të bëjmë mirë në ndeshjen e së mërkurës. Nuk kam asnjë pishman.
Do dukem si qaraman të ankohem javë për javë, këta arbitra janë laj-thaj. Krijuam edhe sot ndaj Partizanit, kjo na bën një skuadër të mirë dhe të fortë. Do ecim përpara”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.



