Kategoria Superiore

Olsi Rama shfryn ndaj arbitrave: Një tavë Elbasani, gatuar me ngjalat e Lezhës

Mjaft i zhgënjyer për humbjen, u shfaq pas ndeshjes edhe drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, i cili shprehu gjithë pakënaqësinë ndaj arbitrimit dhe sidomos kur mësoi se në sallën VAR ishte Enea Jorgji, një gjyqtar i kontestuar shpesh nga të kuqtë.

Sa i zhgënjyer jeni për humbjen në derbi?
E para urime Tiranës për këtë titull, kanë bërë një kampionat dinjitoz dhe besoj se e kanë merituar. Nuk besoj se kishte nevojë që të ndihmohej Tirana që të dilte kampion sot. Për arsye se ishte virtualisht kampione dhe e kishte vetë në dorë fatin e vet.

A mendoni se ndikoi arbitrimi në rezultatin e sotëm?
Sigurisht që mendoj se arbitri ndikoi në rezultatin e ndeshjes, ndikoi në dinamikën e ndeshjes, në shumë raste. Dua të di, kush ishte në VAR? Arbitër i VAR-it? Jorgji! Tani e kuptova. Është një tavë Elbasani e gatuar me ngjalat e Lezhës që na sjell në këtë pikë. Unë nuk e kuptoj arsyen e anulimit të penalltisë. Ka protokoll VAR-i dhe rregulla. Në qoftë se Hamiti e pa që s’kishte kontakt, duhet të kishte karton të verdhë ndaj Skukës dhe do të ishte karton i dytë i verdhë, pra karton i kuq. Nuk ka gjysmë të vërteta.

Ka vetëm një të vërtetë. Ka një protokoll VAR-i që është shumë specifik. Në qoftë se ka kontakt në fazën mbrojtës sulmues dhe jepet penallti, atëherë VAR-i nuk mund të ndërhyjë. Kontakti në fushë e gjykon arbitri. Ju sjell referencë një rast te ndeshja Juventus-Inter, penalltinë e Kuadrados, u dha penallti dhe u bë një polemikë e madhe pse VAR-i nuk ndërhyri dhe u shpjegua që VAR-i nuk ndërhyn kur ka kontakt. Në qoftë se nuk ka pasur kontakt, arbitri Hamiti duhet të kishte integritet t’i jepte kartonin e dytë Skukës.

Kur arbitri duhet të shkojë të ndërrojë një vendim në VAR, duhet të jetë 100 % i bindur, që vendimi që ka marrë në fushë, nga ajo që shikon në pamjet filmike, është tërësisht e gabuar. Në qoftë se nuk është 100% i bindur nuk e ndryshon dot.

Fakti që nuk i ka dhënë kartonin e dytë të verdhë Skukës, tregon që nuk ka qenë 100 % i bindur, nga pamjet filmike shikohet që ka pasur një kontakt të gjurit të Hoxhallarit me këmbën e majtë të Skukës. Unë mendoj dhe them, që ky ishte një gabim teknik i arbitrave dhe favorizim tërësisht në mënyrë të njëanshme Tiranën. S’po them më pas për faullet, shkelmat, etj”, tha Olsi Rama.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency