Optimizëm te U-19, kërkohet kualifikimi në “Elite Round”
Livio Malaj dhe mesfushori Jurgen Çelhaka, të cilët janë grumbulluar nga përfaqësuesja kuqezi për për eliminatorët e Europianit U-19, folën në konferencë për shtyp për objektivat që ka Shqipëria në këtë turne, ku bën pjesë në Grupin 8 së bashku me Norvegjinë, Sllovakinë dhe Ukrainën. Ndeshjet do të zhvillohen nga data 10-16 tetor në “Niko Dovana” Durrës dhe stadiumin e Kamzës.
“Grumbullimi po ecën shumë mirë, me pjesën më të madhe të grupit njihemi, pasi u bë disa kohë që grumbullohemi. Jemi të harmonizuar me njëri-tjetrin, sepse ndihemi shokë edhe jashtë fushës, çka ndikon pozitivisht në frymën e grupit. Ky fakt do na ndihmojë të ecim përpara. Jemi në grup cilësor futbollistësh dhe shpresojmë të kualifikohemi në “Elite Round”, aq më tepër që ndeshjet do t’i zhvillojmë në Shqipëri. Duhet ta shfrytëzojmë këtë avantazh, por sigurisht kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Me ta besoj se do t’ia dalim. Ekipet kundërshtare kanë kualitet, por me impenjimin maksimal mund të kualifikohemi,” – deklaroi portieri Malaj, ndërsa mesfushori Çelhaka theksoi:
“Me të gjithë shokët e skuadrës njihemi më herët, pasi kemi pasur disa grumbullime me kombëtaren U-19. Mendoj se jemi një solid, por duhet të stërvitemi sa më mirë, pasi dhe pritshmëritë i kemi të mëdha. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe, pavarësisht që kundërshtarët janë të fortë, do të bëjmë maksimumin”.



