Ora 14:00, derbi i Prishtinës, bardhekaltrit për revansh dhe vendin e dytë ndaj Flamurtarit
Më përfundimin e ndeshjeve të para të fushatës eliminatore të Euro 2020, vëmendja kthehet te ligat kombëtare. Në Kosovë këtë të mërkurë do të luhet përballja e prapambetur derbi, Prishtina-Flamurtari, që do të nisë në orën 14:00, në “Fadil Vokrri”. Derbi i qytetit të Prishtinës ishte shtyrë, pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me këshillim të UEFA-s, vendosi ta ruajë fushën për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës: miqësoren me Danimarkën dhe eliminatoren me Bullgarinë.
Skuadra e Mirel Josës, aktualisht forcë e tretë në kampionat, ka grumbulluar 19 pikë më shumë se rivalët ndërqytetas në 22 javët e para, por është fakt që Flamurtari ka rezultuar ekipi që i ka hapur më shumë punë. Në dy ndeshjet derbi të këtij edicioni me Prishtinën, Flamurtari ka marrë një barazim dhe një fitore, e arritur pikërisht në “Fadil Vokkri më 18 shkurt, me rezultatin 2-0, me gola të Shillovës dhe Krasniqit.
Formacioni i Josës ka shumë arsye për të kërkuar me çdo kusht fitoren, sigurisht në radhë të parë për të ngushtuar diferencën me Feronikelin, që aktualisht kryeson me 55 pikë, por edhe për t’u hakmarrë për atë disfatë të papritur në derbin e fazës së dytë.
Të dyja skuadrat do të zbresin në fushë edhe të dielën, në kuadër të javës së 24-t; Prishtina do të udhëtojë drejt Suharekës për t’u përballur me Ballkanin, ndërsa Flamurtari do të presë Feronikelin.



