Ora 18:00, Tirana-Partizani, derbi i pasionit për prestigj dhe trofe
Nuk ekziston një ndeshje tjetër në futbollin shqiptar që të ketë më tepër pasion se derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, një përballje që ndez turmat dhe evokon historinë, ndan qytetin për 90 minuta dhe bashkon në stadium zemrat bardheblu dhe ato të kuqe.
Këtë të premte, në orën 18:00, në “Selman Stërmasi”, Tirana e Partizani do të zbresin në fushë për një tjetër duel jo vetëm futbolli mes tyre, për të kërkuar që të mbizotërojnë në kryeqytet, ku prej 15 ndeshjesh qëndron në fron Partizani, i pamposhtur dhe më pranë se kurrë rikthimit te titulli pas pothuajse dy dekadash.
Një derbi i shtëpisë, duke filluar nga stoli, i veshur me ngjyra ekzotike falë lojtarëve që për herë të tretë do ta luajnë në këtë sezon, por dhe një derbi që mund të vlejë edhe për prestigj, për revansh ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha për trofe.
Tirana-Partizani nuk është kurrë një sfidë e zakonshme, në të gjithë përbërësit e saj. Nuk është e zakonshme sa i përket interesimit, rivalitetit dhe as sa i përket mbulimit mediatik. Sepse Tirana-Partizani është derbi i pasionit, derbi me “D” të madhe, ku “D” simbolizon dhe dashurinë që këto dy skuadra përçojnë. Ndaj në orën 18:00, të gjithë tifozët mund të zënë vend në tribunën e tyre në “Selman Stërmasi”, ose në tribunën e shtëpisë, më SuperSport, sepse do të luhet një tjetër kapitull, që do të hyjë në histori, i Tirana-Partizani.



