Ora 20:45, Atletico Madrid-Barcelona, sfidë “fishekzjarresh” në “Wanda Metropolitano”
ÂAtletico Madrid-Barcelona në “Wanda Metropolitano” është takimi i ndezur i të shtunës në La Liga, me kryesuesit e kampionatit spanjoll që përballen me ndjekësit e vendit të tretë në tabelën e klasifikimit. Do të jetë një sfidë e luftuar, me “Los Colchoneros” që do të kërkojnë fitoren e parë për këtë edicion të La Ligas ndaj gjigantëve “blaugrana”, pasi triumfi i fundit i bardhekuqve daton që në shkurtin e vitit 2010.
Në të vërtetë, Barcelona këtij sezoni deri më tani numëron 24 pikë nga 12 ndeshjet e zhvilluara, duke qenë pretendentja kryesore për titullin kampion, por nëse do të thellohemi përtej numrave, shohim se organika e Valverdes nuk ka ruajtur mirë balancën. Fakt për këtë është fitorja 5-0 në El Clasico me Realin, për të shkuar më pas në skuadrën që pëson disfatë ndaj Celta Vigos apo që humbet turpshëm 4- 3 nga Real Betisi. Ky ishte dhe rezultati i fundit i marrë nga Barcelona para pauzës së kombëtareve, që erdhi ndoshta në momentin më të mirë për të krijuar pak frymëmarrje për ta.
Gjithsesi, me Messin të rikuperuar Valverde do të tentojë të shkëputet në plus katër pikë nga “Los Colchoneros apo Sevillas. Duke iu referuar statistikave të “yllit” argjentinas, sulmuesin 31-vjeçar pikërisht ndaj skuadrës së Simeones shënon edhe një rekord personal në karrierë: 28 gola në 36 takime.
Nga ana tjetër kemi madrilenët, që kanë bërë mirë deri më tani, duke shënuar vetëm një humbje në nëntë takimet e fundit të tyre. Simeone nuk e ka fituar kurrë La Liga, ndaj madrilenët shkojnë në “Camp Nou” për të përmbysur hierarkinë në kampionat, duke kërkuar me ngulm një fitore. 162 herë janë sfiduar “peshat e rënda” spanjolle në kampionat, 73 është numri i fitoreve për Barcelonën, 50 barazime dhe 50 suksese për Atleticon. Fjala e fundit për këtë takim i mbetet fushës me emocionet e klasikes spanjolle që i përjetoni në Supersport, në orën 20:45.



