Osmani: Fitore e merituar, Shkëndija diti t’i shfrytëzonte rastet
Shkëndija koleksionoi tri pikë të rëndësishme, duke mundur 2-1 Rabotniçkin në Shkup. Realizimi i Eminit dhe autogoli i Mitrevit, pas aksionit të Micit, zhvlerësuan golin e Peevit, që barazoi përkohësisht rezultatin.
“Fitore e rëndësishme për të ruajtur serinë në pesë fitore me radhë në kampionat. Rabotniçki është skuadër cilësore, mirëpo sot u mund me meritë, pasi Shkëndija ishte më e mirë. Sa i përket lojës, ishim në nivel për 30 minuta dhe më pas kishim rënie të përqendrimit dhe kundërshtari barazoi në 1-1. Në pjesën e dytë filluam shumë mirë dhe përmes aksionit të bukur shënuam sërish, edhe pse ishte autogol, dhe mendoj se me meritë fituam ndeshjen”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani. Kështu shkon në pesë numri i fitoreve të njëpasnjëshme dhe skuadra shkëputet në krye të tabelës në një periudhë kur ekipi vuan mungesa të rëndësishme si Ibraimi e Junior.
“Duke pasur parasysh edhe problemet me lëndimet, që na ndjekin, Shkëndija edhe sot dëshmoi se di të marrë rezultat. Edhe pse nuk krijuam shumë raste, shënuam dy gola, ndërsa na ka ndodhur të krijojmë shumë mundësi dhe të mos shënojmë asnjë gol. Kjo është gjë e mirë, pasi ndonjëherë është më mirë t’i shfrytëzosh rastet, sidomos kur janë të pakta.”



