Featured

Osmani në “Zona Gol”: Në Korçë kishte menaxherë belgë, ja çfarë i kërkova Dajës në 2017-ën

Drejtori Sportiv i Tiranës, Tefik Osmani ishte i ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në SuperSport, ku foli për ecurinë e bardhebluve, planet për merkaton dhe synimet në të ardhmen.

Mbrojtësi nuk ngurroi të komentojë edhe vështirësinë e përballjes me Skënderbeun, që tashmë është nisur drejt Kategorisë së Parë, teksa zbuloi se në 2017-ën i ka kërkuar Ilir Dajës të mos luajë kundër Tiranës.

Atmosfera në ekip duket mjaft e mirë me titullin kampion më pranë…
Nuk është vetëm në këto momente pozitive, pasi edhe në momente të vështira, atmosfera në ekip ka qenë e mirë.

A ngjan kjo Tiranë me atë të Egbo që fitoi titullin dy vite më parë?
Nuk më pëlqen të krahasoj Tiranën. Duam të kthejmë Tiranën që ka qenë e frikshme në Shqipëri, aty ku çdo vit ishte 70 përqind kampionë dhe shihte në Evropë. Të sigurojmë titullin dhe të ecim në Champions.

A keni marrë oferta për lojtarët tuaj?
Është e vërtetë që ka oferta, madje edhe sot ka pasur menaxherë belg në Korçë, por nuk dua të them asnjë emër. Nga porta në sulm ka oferta. Kemi edhe lojtarë të akademisë, veç atyre që janë në formacion. Nuk është çudi që të shitet edhe ndonjë lojtar nga Akademia. Mbas ndeshjeve Champions, mund të kemi edhe shitje, por nuk mendoj se do shesim para Evropës.

Keni menduar për emrat që do të afrohen në merkato?
Gesi është komandanti që vendos, unë dhe Grenti plotësojmë dëshirat edhe presidenti nxjerr lekët nga xhepi. Do bëjmë më të mirën, por pa prishur grupin sepse është ekipi më i mirë në dhjetë vitet e fundit. Edhe stoli duhet në Champions, mirëpresim çdo lojtar cilësor. Trajneri është ai që vendos gjithçka. Më shumë flas me Gesin dhe ai me mua sesa ne flasim me familjet. Arma jonë e fortë është se njihemi prej kohësh dhe kemi ndarë dhomën e zhveshjes prej vitesh.

Para ndeshjes me Skënderbeun, pati zëra për një lëshim. A ndiheni më i lehtësuar pas fitores?
Na vjen keq për Korçën, unë jam nga ky ekip. Këtë situatë e kam ndjerë edhe në 2017-ën. Unë i kam kërkuar trajnerit Ilir Daja, kur kam qenë te Skënderbeu, që mos luaj kundër Tiranës. Lojtarët në fushë flasin dhe është e vështirë për dikë që bie nga kategoria.

Ka pasur kërkesa për tolerim?
Aspak. Unë sot e kam parë nga pankina dhe jo në fushë. Nëse do isha lojtar sot, do kërkoja që mos aktivizohesha. Kur luan kundër shokut, ti je drejt titullit dhe ata bien nga kategoria, është e vështirë.

Cili është objektivi i radhës i Tiranës?
Që në momentin që kam marrë këtë detyrë, iu kam thënë se brenda tre viteve më e pakta të jemi në Conference League. Mbase dukem mendjemadh, por ky është synimi. Më vjen mirë që kemi krijuar këtë grup, doja mos merrnim lojtarë mbi 30 vjeç. Kemi dhënë besim edhe te lojtarët që kishin nga 6 muaj pa u aktivizuar dhe na kanë dalë vendime të mira.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency