Pa eufemizma, barazim me shijen e fitores! Laçi “kockë e fortë” edhe në inferioritet
Pa përdorur eufemizma, ai i Laçit ndaj Petrocub, është një barazim që shijon si fitore. Mjaftojnë dy detaje, vjen në transfertë dhe pas një udhëtimi jo pa peripeci, dhe mbi të gjitha në inferioritet numerik për më shumë se një orë lojë.
Një barazim i marrë ashtu siç di Laçi, duke vënë mbi të gjitha shpirtin e garës, kompaktësinë tekniko-taktike që di të dhurojë një teknik si Shpëtim Duro, vëmendje dhe përqendrim maksimal, kërkesë konstante kjo nën presidencën e dikujt si Presidenti Laska, një nga ata që preferojnë t’i rrinë skuadrës mbi kokë duke u marrë me çdo detaj.
Një barazim që merr akoma më tepër vlerë nëse ju hedh një sy skuadrave të kryeqytetit, Tiranës dhe Partizanit që dukej se ishin kandidaturat më të kuotuara për të mbajtur lart flamurin e kampionatit në Europë, diçka që deri më tani e kanë bërë pikërisht Laçi e Vllaznia.

Laçi edhe mund ta kishte fituar takimin, nëse ajo goditje e Mazrekajt, lojtarit të fituar pikërisht nga Duro dhe Presidenti Laska dhe që bën diferencën, do të kishte qenë pak centimetra më majtas, por gjithsesi edhe 0-0 është një rezultat që ju shkon për shtat.
Për kurbinasit është një barazim i artë, pasi falë tij kanë të gjitha kartat në rregull për të tentuar kualifikimin në këtë tur të dytë në ndeshjen e kthimit. Padyshim në Shqipëri para tifozerisë vendase do të kenë një faktor të rëndësishëm më shumë në avantazh, por gjithmonë duke evituar euforinë apo nënvlerësimin , fjalë këto të ndaluara prej vitesh në fjalorin e kurbinasve.
TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE
QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?



