Pacult: Me Skënderbeun humbëm dy pikë, gara mbetet e vështirë
Fitorja e sfumuar me Skënderbeun ka krijuar një lloj pengu te Kukësi. këtë e konfirmon edhe trajneri Pacult, që gjithsesi ka vlerësime maksimale për kryesuesit e kampionatit, ndërsa tashmë është maksimalisht i përqendruar te ndeshja e radhës me Lushnjën.
Ndaj Skënderbeut humbëm dy pikë, pasi e kishim ndeshjen në dorë. Luajtëm mirë, kaluam në avantazhin e dy golave, por në fund barazuam pas rënies në pjesën e dytë. Skënderbeu ka kualitet dhe për momentin është skuadra më e mirë. Ajo ndeshje kaloi dhe tashmë mendojmë për takimin me Lushnjën. Nuk kam kohë për eksperimente, do të luajmë me formacionin më të mirë. Përveç Skënderbeut kryesues, me të gjitha skuadrat e tjera na pret një garë e fort ku duhet të marrim sa më shumë pikë.
Pacult i bën thirrje lojtarëve të tij të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin e radhës, pavarësisht pozitave në renditje. Sipas teknikut austriak, kampionati është mjaft i vështirë dhe çdo skuadër është në gjendje të bëjë surpriza.
Edhe pse luajmë ndaj skuadrës së vendit të fundit, ndeshja në Lushnjë duhet përgatitur si gjithë të tjerat, njësoj sikur luajmë me Skënderbeun apo Partizanin. Nëse e mendojmë të lehtë, atëherë kemi humbur që në fillim. Të gjitha ndeshjet duhen vlerësuar njësoj, sepse nuk ekzistojnë ekipe të lehta. Nuk kam presion nga të tjerë, por vetëm nga vetja. Nuk ka kohë për nënvlerësim pavarësisht kundërshtarit. Tregues që gara është e barabartë ishte humbja e Flamurtarit në fushën e tij. Edhe ne na ka ndodhur kjo gjë, prandaj theksoj se ky kampionat është i vështirë.



