Padeli, displina që po çmend Europën, edhe mes shqiptarëve (video)
Të gjithë të çmendur pas padelit. Sporti më i ri në Europë, që nga viti 2023 do të jetë pjesë e Lojërave Europiane, nga një trend i VIP-ave është shndërruar tashmë në një prej më të praktikuarve në kontinent dhe prej pak kohësh po bëhet i njohur dhe për shqiptarët. Një lojë e ngjashme me tenisin, por shumë më e gjallë, me më tepër interaktivitet, por dhe një sport ekipor, sepse përjetimin e plotë e merr duke luajtur në lojë dyshe. Në Kosovë, është krijuar tashmë Federata e Padelit, falë këmbnguljes së Besim Shulemajas, që nga një praktikant mendoi ta zhvillonte dhe më tepër, duke krijuar Federatën, por dhe duke synuar përhapjen e tij kudo që ka shqiptarë.
Padeli është një sport si tenisi, por me një fushë shumë të të vogël. Është shumë interaktiv, kërkon energji, një sport që kur e praktikon të hyn në qejf.
Jusuf Kika, sekretar i Federatës së Padelit të Kosovës, nga një njeri i futbollit, përqafoi disiplinën e re dhe në një intervistë dhe për SuperSport shpjegoi dhe rregullat e kësaj loje, ethet e së cilës kanë përfshirë kontinentin.
Padeli ka rregulla të ngjashme me tenisi, shënimi i pikëve është i njëjtë, ndërsa shërbimi ndryshe nga tenisi bëhet nga poshtë …
Shulemaja, ka qenë gjithashtu dhe përfaqësuesi i parë i Kosovës, në një kompeticion ndërkombëtar, teksa ka përfaqësuar vendin e tij në turneun e Menorcës, ndërsa do të jetë i pranishëm dhe në atë aktual, që po zhvillohet në Malmo te Suedisë.
Kemi përgatitue një turne në Suedi më 27 të këtij muaji, ku do të marrin pjesë rreth 30 shqiptarë që jetojnë në këtë vend.
Më 27 nëntor do të organizohet dhe kampionati i parë nga Federata e e Kosovës, që do të mbahet në Halmstad të Suedisë, për shkak dhe të mungesës së infrastrukturës së nevojshme në Kosovë.
Qëllimi megjithatë është zhvillimi i infrastrukturës dhe në Kosovë e Shqipëri, dhe përqafimi i tij dhe këtu, dhe siç sqaron dhe presidenti Shulemaja, por dhe sekretatri Kika, brenda viti të ardhshëm duhet të kenë përfunduar fushat e para, ndërsa turet e padelit janë dhe një mundësi e mirë promovimi dhe për turizmin.
Lëvizjet e para për ta përfshirë sportin në Shqipëri po bëhen gjithashtu me padelin, që ashtu siç është përqafuar në një mënyrë të jashtëzakonshme në Europë mund të shndërrohet dhe në një sport mase dhe në Shqipëri, aq sa në kontinent kanë filluar të flasin tashmë për “ethet e padelit”.



