Pak ditë pas vizitës në Tiranë, sulmuesi i famshëm nis karrierën si trajner
Dirk Kuyt nis karrierën e trajnerit. Ish-sulmuesi i famshëm i Liverpoolit dhe përfaqësueses së Holandës është zyrtarizuar në krye të ADO Den Haag, skuadër që nuk ia doli të siguronte ngjitjen në Eredivisie (u eliminua në play off nga Exelsior).
41-vjeçari, i cili ka luajtur më shumë se 200 ndeshje me me Liverpoolin midis 2006 dhe 2012 dhe shënoi 24 gola në 104 ndeshje për Holandën, është emëruar trajner i klubit me bazë në Hagë me një kontratë njëvjeçare.
“ADO Den Haag është një klub fantastik dhe jam i kënaqur që sot filloj këtë sfidë të re si trajner. Jam mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe besimin që klubi ka shprehur tek unë. Objektivi dhe ambicia e klubit më tërheqin shumë dhe për këtë arsye, së bashku me të gjithë njerëzit në klub, do të punojmë më që ta realizojmë këtë ambicie”.
Sulmuesi holandez, ish-futbollist edhe i Feyenoordit të Roterdamit, ishte në Shqipëri pak ditë më parë me rastin e finales së Conference League. Ai dha një intervistë për gazetarin e SuperSportit, Andi Deçka, pikërisht ditën e përplasjes Roma-Feyenoord.



