Pak orë para ndeshjes me Fioren, zikaltrit marrin një lajm të mirë
Interi do të presë sonte në mbrëmje Fiorentinën në ndeshjen e javës së 6 të Serisë A, ndërsa do të synojë fitoren e parë në këtë sezon, në shtëpinë e saj “San Siro”.
Zikaltrit vijnë me moral të lartë, pasi kanë arritur të marrin dy fitore mes Ligës së Kampionëve dhe kampionatit, duke mposhtur fillimisht Tottenhamin dhe më pas Sampdorian, falë golave të shënuar në minutat shtesë.
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga starti i takimit, një lajm mjaft i mirë vjen edhe nga apeli, ku Interi kërkoi heqjen e pezullimit të Luciano Spallettit, i cili u dënua me një takim nga komisioni i disiplinës, për festën e ekzagjeruar pas golit kundër Sampdorias.
Kështu teknikut iu hoq pezullimi dhe u gjobit me vetëm 5000 euro, ndërsa sonte do të jetë normalisht në stol, për të drejtuar skuadrën në ndeshjen ndaj Fiorentinës, që do të jetë njëkohësisht edhe e 450-a e Luciano Spallettit në kampionatin italian.
Interi nuk e ka nisur me këmbën e mbarë kampionatin dhe pas 5 javëve të para ka vetëm 7 pikë dhe ka mbetur plot 8 pikë pas Juventusit, ndaj do të kërkojë vetëm fitoren sot, për të mos u shkëputur akoma më shumë nga kryesuesit e kampionatit.



