Pankarta e tifozëve kundër trajnerit: Të rikthejmë makinën e vjedhur, vetëm shporru!
Napoli ishte në garë për titullin kampion deri disa javë më parë, por djemtë e Luciano Spallettit nuk e mbajtën ritmin e Milanit dhe Interit. Vetëm shtatë pikë në pesë ndeshjet e fundit ndikuan që Napoli të dilte nga gara për titullin.
Një pjesë e tifozëve të Napolit e kanë gjetur fajtorin. Ai është Luciano Spalletti sipas tyre. Ultrasit italianë kanë nxjerrë një pankartë kundër trajnerit në muret e jashtme të stadiumit “Diego Maradona”.
“16-10-2021: Spalletti, do të ta rikthejmë Fiatin Panda, mjafton që të largohesh”, lexohet në pankartën e tifozëve të revoltuar, aty ku dallohet edhe shkrimi “E’ Marjuol”, ndryshe hajdutët.
Shkrimi ka lidhje me ngjarjen e 16 tetorit të kaluar, kur trajnerit Spalletti i vodhën makinën e parkuar poshtë hotelit ku qëndron në qytetin jugor. Il Mattino raporton se në rrjetet sociale kanë shpërthyer debatet, me shumë tifozë të Napolit kundër kësaj pankarte.




