Panucci ndjek U-19, Bogdani përqendrohet te taktika
Ekipi kombëtar U-19 vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjeve miqësore me Kazakistanin në Lushnjë, më 24 dhe 27 mars, në orën 15.00. Trajneri Erion Bogdani ka drejtuar një tjetër seancë stërvitore në “Tropikal” në një nga fushat e kompleksit, duke punuar në aspektin taktik me skuadrën.
Këtë seancë e ndoqi edhe trajneri i ekipit kombëtar Christian Panucci, i cili do të dalë në fushë me ekipin në orën 15.30, sipas programit të parashikuar stërvitor. Skuadra e Bogdanit realizoi edhe një seancë pasditen e djeshme po në rezort “Tropikal”. Një nxemje e plotë, pastaj veprimet me topin në një kohë që Bogdani në pjesën e dytë të skuadrës është ndalur edhe te ana taktike me grupin e tij, për të parë edhe situatat e ndryshme në lojë që ka planifikuar të realizojë.
Për faqen zyrtare të FSHF-së, Bogdani u shpreh:
“Jam i kënaqur nga puna e deritanishme e skuadrës. Kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje. Gjatë këtyre ditëve do të ndalemi gjatë te ana taktike. Janë dy miqësore që më shërbejnë shumë, dhe skuadrës por që natyrisht duan angazhimin, dhe shoh që djemtë janë të karikuar maksimalisht”.
Skuadra përfaqësuese U-19 do të vazhdojë këto tre ditë stërvitjet me ngarkesë të plotë dhe të shtunën luan takimin e parë në “Roza Haxhiu” në orën 15.00. Hyrja është FALAS.



