Paqueta te West Ham, presidenti i Lyon injoron anglezët: Prisnim negociata me klube të mëdha!
Lucas Paqeuta është tashmë një futbollist i West Ham në Premier League teksa anglezët shpenzuan një total prej 60 milionë euro për ta transferuar nga Lyon. Fantazisti brazilian është shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë të klubit anglez, e megjithatë pavarësisht se investuan një shumë të konsiderueshme, sërish presidenti i Lyon ka injoruar West Ham.
Jean-Michel Aulas theksoi se priste që në këtë merkato të negocionte me klube prestigjioze për të ardhmen e Paqueta, por në fund u detyrua të bënte marrëveshje me anglezët.
“Më vjen keq që Paqueta largohet, por ishte dëshira e tij. Menduam se këtë merkato do të negocionim me klube të mëdha për lojtarin brazilian, por nuk ndodhi. Askush nuk u interesua dhe na u desh të arrinim një marrëveshje me West Ham në momentet e fundit”, u shpreh Aulas.
Kujtojmë se në lidhje me Paquetan në media u përfol edhe për një interesim të Arsenalit, mirëpo pas deklaratave të numrit një të Lyon, duket se asgjë nuk ka qenë e vërtetë, me West Ham që ka pasur krahun e hapur për të nënshkruar me 25-vjeçarin.



