Paraeliminatoret/ Feronikelit i mjaftojnë 3 minuta për të kaluar në finale
Feronikeli e ka nisur me këmbë të mbarë eksperiencën në turin paraeliminator të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0, skuadrën nga Gjibraltari të Lincoln Red Imps.
Ka mjaftuar një gol i shënuar nga mesfushori anësor Mendurim Hoti, që në minutën e tretë të sfidës, që skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani të kalojë në finalen e turit paraeliminator.
Kjo fazë e Ligës së Kampionëve po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ku skuadra nga Drenasi, e mbështetur edhe nga një numër i konsiderueshëm spektatorësh, menaxhoi mjaft mirë avantazhin e shpejtë.
Finalja do të zhvillohet sërish në Prishtinë, mbrëmjen e të premtes, teksa Feronikeli do të sfidojë skuadrën nga Andorra të FC Santa Colomas, e cila sot eliminoi ekipin e Tre Pennes nga San Marino.
Nëse Feronikeli do t’ia dalë të triumfojë të premten, atëherë do të kalojë në turet eliminatore, ku do të përballet me uellsianët e The New Saints.



