Partizani, derbi sfida për të gjetur “shkëndijën” që mungon
Tjetër barazim, i katërti radhazi në kampionat, shumica prej tyre kanë ardhur prej rivalëve të fortë, Vllaznisё, Dinamos e Kukësit, por Partizani është ndërtuar pikërisht për të konkurruar me ta dhe për të fituar titullin, dhe deri tani rezultatet i kanë munguar, mbi të gjitha fitorja. Një situatë që po kthehet gjithmonë e më e sikletshme për stafin dhe drejtuesit.
Partizani ka investuar në merkato, ka organikën e duhur të lojtarëve, një trajner që me të drejtë kuotohet si ndër më të mirët në Shqipëri, por në këtë fillim sezoni qartazi i mungon diçka, sa i përket rezultatit dhe lojës. Një shkëndijë më shumë, një hap më tepër për të triumfuar ndaj kundërshtarit. Një shkëndijë që, të paktën në aspektin e motivimit dhe përqendrimit, nuk mund ta japë asnjë ndeshje më mirë se sa derbi.
Në takimin e radhës përballen me rivalët e përjetshëm të Tiranës, sfida që mund t’i kthejë të kuqtë në rrugën e duhur. Në edicionet e kaluara, ka ndodhur shpesh që derbi të konfirmohet si një pikë kthese, si për Partizanin ashtu dhe për Tiranën, një ndeshje ku rezultati, pak a shumë, ka diktuar dhe ecurinë në takimet pasardhëse.
Është një derbi ku të kuqtë e gjejnë Tiranën si kryesuese dhe në euforinë e dy sukseseve radhazi, por klasifikimi i momentit në një përballje të tillë nuk vlen. Një javë kohë për ta përgatitur si duhet, Partizani ka shansin që në derbi t’i japë drejtimin e duhur sezonit.



