Partizani-Dinamo në shtëpinë e Tiranës, derbi për Europën dhe mbijetesën
Partizani në kërkim të shkëlqimit të humbur, Dinamo në kërkim të një shkëndije shprese. Në “Selman Stërmasi” derbi i madh i gjen rivalët e vjetër me jo pak probleme. Në kampin e kuq, ai eliminim nga Kupa e Shqipërisë ka lënë shenjë. Që nga ajo sfidë skuadra e Dritan Mehmetit ka sigluar dy barazime pa gola me sulmin që është ndalur.
Në vendin e 4-t të klasifikimit, dhe me kampionatin të vetmen rrugë që siguron Europën, “demat’ duhet të reagojnë shpejt, pasi vetëm vendi i tretë u garanton me siguri pjesëmarrjen në kompeticionet kontinentale.
Dinamo, ndërkohë, vjen në krizë të plotë, 5 humbje radhazi, edhe pse ndonjëherë mund të kishte merituar më tepër, konfirmojnë një moment dramatik. Nëse në kampin e kuq mund të kenë ndonjë peng nga sulmi, te Dinamo ndërkohë në këtë drejtim situata është katastrofike: vetëm 15 gola në 30 ndeshje është vula e një dështimi. 11 pikë larg vendit të tetë, shumëkush mendon se Dinamo e ka prerë biletën e rikthimit në kategorinë inferiore, por italiani Vanoli refuzon të dorëzohet, mbetet për t’u parë në fushë nëse edhe skuadra e ka seriozisht.
Statistikat janë në krahun e të kuqve: në 5 ndeshje sezonale mes tyre, përfshirë dhe duelin e Kupës, Dinamo nuk ka fituar asnjë, 3 kanë përfunduar barazim, ndërsa 2 janë fituar nga Partizani, që i eliminoi rivalët në Kupë falë golit të ish-it të madh, Skuka. Ironi e fatit nëse shënon sërish dhe bëhet lojtari që fundos përfundimisht Dinamon, ai që pak muaj më parë konsiderohej i panevojshëm te kjo skuadër.
Si Partizani dhe Dinamo janë dënuar shpesh nga gabimet individuale, i fundit në radhë ai i portierit Simoni përballë Teutës, gjithsesi për t’i dhënë paksa zemër, vijne episodet e fundit nga Italia, ku portieri i Interit Radu, me një gafë edhe më të rëndë ndaj Bolonjës, çoi gjysmë titulli në shtëpinë e rivalëve të Milanit, apo dhe ai i Buffonit, tjetër autor i një gafe që ka bërë rrjeten e xhirove sociale. Nëse gabojnë edhe legjendat, atëherë ka më shumë arsye për t’i dhënë zemër një portieri 17-vjeçar.



