“Partizani e meritoi, ja ku gaboi Gjici me Kukësin”
Një pjesë shumë e rëndësishme e intervistës së presidentit Armand Duka me Ylli Agën u fokusua te verdiktet e Superiores.
– Le të flasim për kampionatin vendas. Pas 26 vitesh Partizani u shpall kampion. A i ishin të drejta verdiktet?
– Nuk ka dyshim që Partizani zhvilloi një kampionat të mirë, udhëhoqi thuajse gjatë gjithë sezonit. Konkurrentët nuk arritën të ishin në nivelin e Partizanit, qoftë Teuta, Kukësi, Flamurtari apo Skënderbeu. Partizani i optimizoi më mirë gjërat, ishte pragmatist. Nuk është se dhuroi ndonjë futboll spektakolar, por arriti rezultatet dhe patjetër që e meritonte. E gjithë pjesa tjetër e skuadrave, me pak subjektivizma, ku futen gabimet apo fati, kanë marrë atë që kanë dhënë në bazë të organizimit dhe buxhetit që kanë patur.
– Cila ishte surpriza më e bukur për ju në këtë kampionat, një skuadër një lojtar…?
– Të veçoj futbollistë të veçantë, është e vështirë, por po dalloj një skuadër që jo vetëm në këtë kampionat, por edhe në 2-3 të fundit, ka luajtur një futboll të mirë dhe, pavarësisht se ka larguar shumë futbollistëve, ka ruajtur të njëjtin nivel. Ky është Luftëtari. Nuk ka rrezikuar rënien nga kategoria, vjet ka luajtur në Europa League dhe, megjithëse në mes të sezonit hoqi dy nga futbollistët më të mirë, vijoi të kishte performancë pozitive.
– Prisnit diçka më shumë nga Kukësi, për faktin që vjet luajti në Champions dhe kishte një buxhet më të mirë?
– Kukësit nuk i ka munguar buxheti, as përbërja, sepse, po ta shohim në letër, ka patur elementë shumë cilësorë, por i ka munguar skuadra. Kishte një disavantazh që nuk luante në shtëpi, por i pari që ka përgjegjësi është vetë presidenti Gjici, që duhet ta organizonte në atë mënyrë që të kishte një skuadër më të mirë dhe jo shumë individë.
– Trajektorja e Skënderbeut, deri diku e pritshme?
– Nuk mendoj se ka ndikuar te Skënderbeu lufta juridike që ka për të luajtur në Europë. Skuadra mori rezultate pozitive deri në janar, madje opinionistët mendonin se, pavarësisht largimit të disa lojtarëve, po performonte mirë, por, më vonë, nuk e di, nuk ishte i përgatitur për të përballuar 36 javët e kampionatit sportivisht, sepse psikologjikisht lojtarët nuk kishin asnjë përgjegjësi për t’u marrë me problemet juridike. Ndoshta nuk kishte futbollistët e duhur apo alternativat e nevojshme për të përballuar kampionatin.
– Lajm i mirë është rikthimi i Teutës, pas disa sezonesh… Ndoshta pritshmëritë kanë qenë më të mëdha?
– Teuta u pa si një ekip konkurrent për kampion, madje diku 10 javë para përfundimit të kampionatit u afrua shumë, por m’u duk si një skuadër pa grintën e duhur. Vendi i tretë është i merituar, por me aq sa është investuar duhet të merrte më shumë.
– Ky sezon ka patur shumë më pak polemika sa u përket gjyqtarëve. Janë ndërgjegjësuar ndoshta vetë protagonistët e garës?
– Me zhvillimin e Shoqërisë zhvillohen të gjithë aktorët, përfshi dhe arbitrat. Ne bëjmë gjithmonë maksimumin në selektimin dhe përgatitjen e tyre si dhe në kërkesën e llogarisë për të qenë sa më korrektë. Është e vërtetë që kontestime ka patur më pak dhe, fatmirësisht, vendimet, edhe kur kanë qenë të gabuara, nuk kanë ndikuar në garë apo në renditje. Do ta vlerësonim me nota pozitive, krahasimisht me të shkuarën.
– Ka një perspektivë që edhe gjyqtarët të zhvillohen dhe të ecin më shumë në arenën ndërkombëtare. Do ta shohim Enea Jorgjin në një finale të madhe?
– Nuk i penalizon niveli i kampionatit për të shkuar më lart. Qoftë Enea dhe arbitrat e tjerë të FIFA-s mund të bëjnë shumë më mirë. I kanë të gjitha kushtet, pra e kanë vetë në dorë. Unë mendoj që për kushtet e krijuara arbitrat nuk kanë asnjë disavantazh krahasuar me federatat e tjera. Po të bëjmë një krahasim, shohim Skominën, që nuk është nga një kampionat shumë cilësor (Slloveni), por gjykon në nivelet më të larta. Po ashtu edhe një arbitër serb dhe një tjetër hungarez. Niveli i kampionatit nuk i penalizon, është i kënaqshëm për të prodhuar arbitra të niveleve të larta. Kushtet i kanë, duhet vetëm impenjimi i vetë arbitrave.



