Partizani, kohë për të rigjetur shkëlqimin
Ndalesa e kampionatit mund t’i shërbejë Partizanit për të rikuperuar jo vetëm energjitë, por ndoshta qetësinë e nevojshme për të rigjetur shkëlqimin në fushën e lojës. Të kuqtë nuk kanë probleme të mëdha sa u përket dëmtimeve, me mbrojtësin Hektor Idrizaj që kërkon një kohë të gjatë rikuperimi pas operacionit në gjurin e djathtë. Pjesa tjetër është e gatshme nën urdhrat e trajnerit Skënder Gega për sprintin final të kampionatit, që do t’i dhurojë mundësinë e realizimit të ëndrrës, fitimin e titullit kampion.
Edhe pse pikët flasin në favor të të kuqve, skuadra ka përfunduar në bankën e të akuzuarve për faktin që loja nuk është në nivelin e kërkuar. 15 fitore dhe mbrojtja më e mirë e kampionatit me 11 gola të pësuar janë shifra për t’u respektuar te kryesuesit, që mbrojnë me fanatizëm këtë status, aq sa duket se këto javë të fundit kanë hequr dorë nga loja e bukur për të treguar cinizmin e tyre në fushën e lojës.
Diferenca prej 6 pikësh me Kukësin ndjekës është një distancë që në vetvete injekton qetësi. Partizanin që do të ketë dy përballje direkte deri në fund si me vendin e dytë ashtu dhe me vendin e tretë. Ilaçi më i mirë për të kurorëzuar në mënyrë perfekte këtë edicion është ruajtja e rezultateve dhe rikthimi te loja e bukur.
Ndalesa e kampionatit i shërben pikërisht për këtë të fundit, pasi kreu dhe pikët nuk kanë qenë asnjëherë në diskutim.



