Partizani-Kukësi, ora 16:45, përballje pretendentësh në “Air Albania”
“Air Albania” hap dyert për kampionatin, me një superfidë të denjë për ta bërë atmosferën edhe më të nxehtë në komoditetin e impiantit të ri. Luhet Partizani-Kukësi, përballje pretendentësh dhe e një rivaliteti të fortë në këto vitet e fundit. Të dyja skuadra kërkojnë fitoren.
Partizanit të Ilir Dajës i ka munguar shkëlqimi dhe edhe rezultatet në këto 4 javë të parë. Vetëm 3 pikë janë shumë pak për një skuadër me objektiva madhorë, në kërkim të fitores së parë, me të kuqtë që më në fund, në kryeqytet, pritet të kenë edhe një shtysë më shumë, një numër më të madh tifozësh në mbështetje të tyre.
Daja ka rikuperuar Kacen, Mustën dhe Sten Zhunior që i projekton titullarë, ashtu si dhe Markun, me trajnerin që pret që ditët e pauzës të kenë shërbyer për të gjetur sidomos më shumë cinizëm në sulm, aty ku Partizani ka rendimentin më të dobët në këtë fillim kampionati, vetëm 3 gola në më shumë se 360 minuta lojë.
Për Kukësin, ditët e pushimeve nuk kanë qenë dhe aq të qeta. Deklaratat e Diego Longos pas humbjes me Teutën lanë vend për interpretimin e një largimi të mundshëm të italianit nga stoli, por drejtuesit e kanë blinduar, duke zgjedhur të vazhdojnë me të. Argumentet nuk u mungojnë, Kukësi shpreh një futboll sulmues, prodhon lojë dhe shënon me bollëk, edhe pse në dy ndeshjet e fundit ka konstatuar brishtësi në mbrojtje.
Trajneri ka sjellë një futboll argëtues dhe tanimë është rikthyer për të vazhduar një projekt që premton, ndaj Partizanit për Kukësin e tij është momenti i duhur për të shprehur vlerat e një skuadre pretendente.



