Partizani mbyll përgatitjet për derbin, Gega kristalizon formacionin!
Partizani ka mbyllur përgatitjet në prag të një prej takimeve më të rëndësishëm të sezonit, derbit të kryeqytetit kundër Tiranës. Skuadra e kuqe ashtu si ka bërë nga fillimi i këtij viti kalendarik është stërvitur në kompleksin “Football Republic“ në komunën e Barbasit. Trajneri Skënder Gega zhvilloi një bisedë të shkurtër me skuadrën përpara se të niste kjo seancë përmbyllëse e javës prag derbi. Tekniku i ka idetë e qarta duke i dhënë edhe konturat formacionit titullar dhe përjashto ndonjë të papritur të sekondës së fundit, demat do të zbresin në fushë me këta emra: Nën skmën 4-2-3-1 në kuadrat do të jetë kapiteni Alban Hoxha, në të djathtë të mbrojtjes Ibrahimi, në qëndër Rexhepi e Belica me Hektor Idrizajn në krahun e majtë. Digën në mesfushë do ta formojnë Bruno Telushi e Atanda, ndërsa Mala, Mensah dhe Asani do të vendosen në mbështetje të Jurgen Bardhit.
Mungesa e madhe është ajo e Lorenc Trashit i cili po ashtu si ndaj Skënderbeut ne fazën e dytë nuk do të ketë mundësinë ta ndihmojë skuadrën e tij, Ardit Hila është rikthyer të stërvitet por elbasansi ende nuk është gati, po ashtu si Alesio Hyseni. Intensiteti ka qënë i lartë gjatë gjithë javës dhe përjashtim nuk ka bërë as stërvitja e fundit ku motivimi nuk mund të mos ishte maksimal. Skuadra do të vijojë e grumbulluar në një nga hotelet në periferi të Tiranës e më pas rreth 1 orë e gjysmë përpara startit do të jetë e pranishme në Selman Stërmasi aty ku përballë do të ketë rivalët historik kudnër të cilëve nuk largohet e dorëzuar qe nga shkurti i vitit 2014.



