Europa League

Partizani me besim në Slloveni, mision i pamundur për Luftëtarin

4 skuadra shqiptare do të zbresin sot në fushë me një objektiv të qartë të lenë shenjë në turin e parë kualifikues të Europa League dhe pse jo të tentojnë kualifikimin. Mundësitë më të mëdha i ka Prishtina e Mirel Josës që pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë ndaj luksemburgasve të Fola Esch do t’i mjaftonte një fitore në sfidën e sotme në Mitrovicë për të kaluar më tej. Edhe Partizani ka shanset e tij, ndërkohë një mision pothuajse të pamundur ka Luftëtari për të avancuar më tej. Bluzinjtë në Elbasan Arena në orën 20:00 duhet të përmbysin humbjen 5-0 të ndeshjes së parë ndaj letonezëve të Ventspils, një mision në kufijtë e të paarritshmes.

Shorti nuk i buzëqeshi aspak Partizanit, duke i rezervuar një kundërshtar me potencial të rëndësishëm si Maribori, megjithatë “të kuqtë” në takimin e parë nuk u shfaqën aspak të dorëzuar, madje ua vështirësuan jetën sllovenëve dhe humbja 1-0 ishte e pamerituar, për më shumë që demat mund edhe të polemizojnë për një 11-metërsh të munguar.

Në takimin e kthimit që do të luhet të enjten në orën 20:15 në stadiumin “Ljudski” të Mariborit, trajneri Skënder Gega do të jetë i detyruar të bëjë pa mbrojtësin e qendrës Egzon Belicën, i cili nuk arriti të rikuperohej nga një dëmtim në gju, vendin e tij ka gjasa ta marrë futbollisti i ardhur nga Tomori gjatë merkatos së verës, Eneo Bitri, pjesa tjetër nuk do të ndryshojë me Ibrahimin në të djathtë, Gojgoviç e më tej Kalarin në të majtë.

Në mesfushë me shumë mundësi do të vendosen Hila, Esat Mala e Telushi, kurse Asani, Progni e Trashi do të përbëjnë “tredhëmbëshin” ofensiv. Në anën tjetër trajneri Milaniç do t’i besoj sërish dyshes sulmuese Luca Zahovic-Tavares. Demat nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të kërkojnë deri në fund mrekullinë kundër një skuadre si Maribori, që sezonin e shkuar ishte pjesë e fazës së grupeve në Champions League.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency