Featured

Partizani në kërkim të fitores ndaj Egnatias, rrogozhinasit “trembin” me sulmin

Pas një derbi të luajtur mirë, dhe ku ishte superior ndaj Tiranës për një pjesë loje, Partizani rikthehet në aksion në Air Albania përballë Egnatias. Një sfidë ku të kuqtë e Dritan Mehmetit kërkojnë rikthimin te fitorja, me trajnerin dhe drejtuesit që kanë përcaktuar si objektiv për të arritur Europën nga kampionati, me vendin e tretë që është aktualisht 5 pikë larg.

Derbi ka karikuar një dozë të mirë vetëbesimi në kampin e kuq, me skuadrën e Mehmetit që demonstroi se kualiteti nuk i mungon, edhe pse ndaj Egnatias nuk do të jetë e lehtë, jo vetëm për karakteristikat e skuadrës rrogozhinase, por edhe me një sërë problemesh për shkak të formacionit, me Dritan Mehmetin që mbetet për të parë gjendjen e Kallakut, Carës, Malës dhe Bitrit, në një sfidë që duket se do të vërë në provë dhe thellësinë e skuadrës në stol.

Egnatia ndërkohë shkon në këtë përballje pas disfatës me Teutën, ku në kampin rrogozhinas nuk kanë munguar dhe ankesat për gjykimin. Gjithsesi skuadra e Zekerija Ramadanit, ka bërë mjaft mirë në këtë vit kalendarik, teksa humbja me bregdetarët ndërpreu një seri prej 2 fitoresh dhe një barazimi, që përveçse përmirësimit të renditjes, kanë shërbyer edhe për të ngritur lart moralin e skuadrës në luftë për mbijetesën.

Pavarërisht klasifikimit Egnatia ka një organikë interesante sidomos në vijën e parë, ku brazilianët Pedro Augusto e Jackson dhe Ilirid Ademi përbëjnë një treshe shumë problematike për mbrojtjet kundërshtare.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency