Partizani në kërkim të fitores së parë, sfidon Kastriotin në Kamëz
Kastrioti në këtë moment duhej të ishte thjesht kundërshtari i radhës në një ndeshje rutinë për Partizanin, por sfida e kësaj të diele vjen me një rëndësi madhore.
Pa një fitore në 7 javët e para, me një humbje që djeg në derbi dhe me vetëm 5 pikë në klasifikim, (po aq sa dhe krutanët), në kampin e kuq është një ndeshje pothuajse vendimtare.
Kërkohet më në fund një sukses, për të shkuar me paksa qetësi në pauzën e kombëtareve, por edhe për Ilir Dajën. Tekniku ka besimin e klubit dhe drejtuesve, por në një profesion si ai i trajnerit, besimi nuk është kurrë pa kufi dhe një tjetër rezultat zhgënjyes do të trazonte rrezikshëm ambientin dhe pozitat.
Te 16 herë kampionët i besojnë lojës së shprehur në këto javë të para pavarësisht rezultateve, por ndërkohë shifrat për sulmin janë kokëforta, me vetëm 5 gola të shënuar mungesa e rendimentit aty para është evidente dhe këtë herë përtej gabimeve individuale, ndaj Kastriotit do të duhet një sulm cinik i aftë për të vrarë ndeshjen.
Në kampin krutan vijnë në këtë sfidë më të qetë, në takimin e fundit kanë barazuar me Teutën kampione në fuqi, dhe skuadra e Ramazan Ndreut ka krijuar identitetin e një formacioni që di të marrë më të mirën duke njohur kapacitetet dhe pikat e forta, duke vënë theksin te një luftë e fortë sportive.
Për më tepër, për trajnerin po kthehen lojtarë të rëndësishëm, Okebugwu, Edon Hasani dhe Lukman Husein që morën minuta në Kupë dhe edhe pse ndoshta ende nuk kanë 90 minuta në këmbë përbëjnë një shtysë të madhe për ekipin.



