Kategoria Superiore

Partizani për fitore ndaj Kamzës, Ahmataj debuton ndaj Laçit

Kategoria Superiore do të vijë sot me dy takimet e fundit të javës së 20-ë të saj, të cilat do të zhvillohen të dyja në orën 14:00 dhe do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport.

Kështu Partizani kryesues do të përballet me Kamzën, në një miniderbi, ku të dy skuadrat kanë si synim të marrin maksimumin, pasi për vetë pozitat ku ndodhen, kanë nevojë për pikët e plota nga kjo sfidë.

“Të kuqtë” synojnë titullin kampion, por e dinë mirë se rivaliteti do të jetë shumë i fortë, ndaj nuk mund t’i lejojnë vetes hapa fals përballë kundërshtarëve që luftojnë për mbijetesë, ndaj edhe vetë Gega ka bërë apel për të marrë maksimumin sot.

Nga an tjetër, Kamza lufton për të dytin vit radhazi, që të mos përfundojë një kategori më poshtë dhe pas humbjes me Tiranën, do të kërkojë të rikuperojë disi ndaj Partizanit, ku minimalisht do të synojë të mos dalë pa pikë.

Sfida tjetër e sotme do të jetë ajo mes Laçit dhe Luftëtarit, ku edhe këtu do të përballen dy skuadra që nuk mund t’i lejojnë vetes një tjetër hap fals. Kurbinasit kanë si synim arritjen e një vendi në Europë dhe Luftëtari është “treni i fundit” që realizon këtë qëllim nëpërmjet kampionatit.

Nga ana tjetër gjirokastritët po kalojnë një moment tejet delikat, me pagat që vonojnë prej muajsh, ndërsa situata u turbullua edhe më shumë me vendimin për të shkarkuar trajnerin Mezani dhe për të emëruar në këtë post Julian Ahmatajn.

Te Luftëtari e dinë mirë se një humbje në Laç, do të komplikonte tej mase pozitat në renditje dhe do të bënte që ata të ndjenin më pranë se kurrë kërcënimin e rënies në Kategorinë e Parë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency