Partizani prenoton në Antalya, ja miqësoret e programuara në tokën turke
Pasi mbylli gjysmën e parë të kampionatit si kryesues i renditjes dhe rrjedhimisht kampion dimri, Partizani do t’i rikthehet punës më datën 5 Janar, për t’u përgatitur për fazën më vendimtare të sezonit.
Klubi i kuq ka njoftuar se të shtunën futbollistët do të udhëtojnë në orët e para të mëngjesit drejt Antalyas, ku edhe do të qëndrojnë për 10 ditë dhe do të kryejnë minifazën përgatitore të dimrit, për t’u rikthyer në kryeqytet më datën 15 janar.
Gjatë qëndrimit në tokën turke, Partizani do të zhvillojë edhe 3 ndeshje miqësore, konkretisht përballë Sivassporit më 9 Janar, përballë Antalyasporit më 11 Janar dhe përballë kazakëve të Shakhtar Karagandyt, më 14 Janar.
Kjo periudhë do t’u shërbejë edhe drejtuesve të klubit, që të punojnë në merkato, për të përforcuar edhe më shumë organikën e trajnerit Gega, me qëllim që skuadra të ruajë pozitat deri në fund të sezonit.



