Partizani pret Luftëtarin për mbylljen perfekte të fazës së parë
Faza e parë, në 8 javët e saj të luajtura deri në këto momente, ka qenë e mrekullueshme për Partizanin. Përjashto atë humbje 1-0 në minutën e fundit në Korçë, “të kuqtë” e Gegës në 7 javët në vazhdim e kanë shfaqur veten si ekipi për t’u mundur në Superiore, duke marrë 6 fitore dhe 1 barazim, e mbi të gjitha duke shënuar 9 herë në portat kundërshtare, pa pësuar as dhe njëherë të vetme.
Ndaj Luftëtarit, Partizani do të mbyllë fazën e parë, dhe me një fitore, jo vetëm që do të zgjaste serinë e rezultateve pozitive, por do të konfirmohej dhe në krye të kampionatit duke hedhur një tjetër hap drejt atij titulli të munguar prej më tepër se dy dekadash, edhe pse në shtëpinë e kuqe nuk dëshirojnë ta përmendin trofeun, duke dashur t’i hedhin hapat një e nga një.
Megjithatë Partizani, në ndryshim nga vitet e kaluara, përveç modestisë, po përpiqet t’i hedhë hapat një e nga një dhe pasi likuidoi dhe Kukësin në transfertë tanimë ka mundësinë për t’i bërë një mbyllje fantastike fazës së parë përballë Luftëtarit. Një përballje pothuajse mes dy skajeve të tabelës së klasifikimit, edhe pse ndeshja me bluzinjtë mund të jetë dhe një labirint i rrezikshëm, pasi gjirokastritët në javët e fundit kanë treguar ngritje në lojën e tyre, por edhe kanë ende elementë cilësorë dhe një trajner që di si të vendosë në vështirësi kundërshtarin.
Megjithatë nëse në këto dy javë pauzë për shkak të ekipeve kombëtare, Partizani nuk do të ketë humbur magjinë e shfaqur deri tani, gjë që duket e vështirë, e sigurt është se në fund të 90 minutave me gjirokastritët, simbolikisht të kuqtë do t’i gëzohen hapit të parë drejt trofeut, kreut të renditjes në përfundim të një faze.



