Partizani, shumë pranë rikthimi të mbrojtësit, po përcaktohen detajet e fundit
Partizani, një kantier në ndërtim. Trajneri i ri, Dritan Mehmeti, ka nisur prej pak ditësh punën në kampin e kuq. Një ndryshim i rëndësishëm për të ndërruar kurs, me drejtuesit ndërkohë që janë duke piketuar edhe përforcimet e nevojshme në merkato, për të rritur cilësinë e skuadrës në pikat ku ndërhyrjet janë konsideruar si më të domosdoshme.
Afrimi i Sherif Kallakut mund të konsiderohet një afrim i shkëlqyer, për një lojtar cilësitë e të cilit nuk diskutohen, dhe që e njeh mirë kampionatin shqiptar duke premtuar fantazi dhe më shumë impulse në fazën e sulmit, por ndërkohë përforcime priten edhe në reparte të tjera.
Sondazh/ Sa besoni te agjencitë imobiliare?
SuperSport mëson se të kuqtë janë shumë pranë rikthimit të një tjetër lojtari me peshë, këtë herë në mbrojtje. Bëhet fjalë për Eneo Bitrin, 25-vjeçarin që ka impresionuar me paraqitjet dhe rritjen e tij me fanellën e kuqe nga viti 2019 deri në 2021, kur luajti me Partizanin. Paraqitje të cilat i dhanë mundësinë për të kaluar jashtë vendit, me mbrojtësin që u transferua tek Astana, në Kazakistan. Bitri ka prishur në mënyrë konsensuale kontratën me kazakët pikërisht në ditët e para të këtij viti dhe të kuqtë janë në tratativat finale me 25-vjeçarin, që shumë shpejt mund të bëhet zyrtarizimi i radhës në kampin e kuq.



