Kategoria Superiore

Partizani-Teuta (16:45), një sfidë për t’i dhënë një “shqelm” krizës

Java e 10-të e Superiores nis me përballjen ndoshta më të fortë të saj. Partizani-Teuta çel siparin e fazës së dytë në një sfidë ku të dyja skuadrat kërkojnë reagimin për t’i dhënë fund krizës. Teuta nuk fiton prej 3 ndeshjesh në kampionat dhe është aktualisht 7 pikë larg kreut, ndërsa për Partizanin është një fazë e parë për t’u harruar sa më shpejt, me vetëm 1 fitore në 9 javë kampionat.

Presioni mbi drejtuesit dhe skuadrën vjen në rritje, me tifozët që shfaqën hapur pakënaqësinë në fund të ndeshjes me Laçin, dhe në kampin e kuq duhet të nisin një tjetër kampionat për të mos kompromentuar sezonin.

Skuadra e Ilir Dajës “qan” më së shumti mangësinë e realizimit, vetëm 8 gola në 9 javë nuk janë në raport të drejtë me atë që skuadra prodhon sa i përket volumit të lojës, tendencë që duhet të ndryshojë që këtë të premte, edhe pse Teuta përfaqëson një rival tejet të vështirë.

Në fakt, mbrojtja e skuadrës durrsake, një ndër pikat e forta të sezonit të fitimit të titullit, ka nisur të lëkundet, pasi skuadra e Edi Martinit ka pësuar 5 gola në 3 ndeshjet e fundit, ku ka koleksionuar 1 humbje dhe dy barazime.

Teuta është para apelit për t’u rikthyer te trepikëshi, që i mungon prej më shumë se një muaji, por vjen në këtë sfidë me besimin se mund t’ia dalë për t’u imponuar ndaj të kuqve, ashtu siç bëri në ndeshjen e fazës së pare, ku bregdetarët fituan 1-0, humbja e vetme e Partizanit në këtë sezon, përveç asaj në derbin me Tiranën.

Edi Martini ka tanimë në dispozicion një Lorenco Vila që është rikthyer në formën më të mirë, me 22-vjeçarin që shënoi një dygolësh me Skënderbeun dhe që pritet një armë e rëndësishme më shumë në kërkim të suksesit të dytë ndaj Partizanit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency