Partizani-Teuta, në kampionat me sytë nga… Kupa
Një sfidë kampionati, por me një sy nga Kupa. Partizani dhe Teuta përballen në Elbasan Arena në një sfidë ku ju duhet të mendojnë edhe për mesjavën e ardhshme, sidomos bregdetarët që te Kupa shohin barkën e shpëtimit të sezonit, si e vetmja mundësi që mund tu ofrojë një trofe dhe mundësinë për të luajtur në kompeticionet europiane.
Gjithsesi 90-minutëshi në Elbasan Arena është i rëndësishëm, aq më shumë për Partizanin që e kërkon Europën edhe nëpërmjet kampionatit dhe vjen në rritje konstante. Të kuqtë fituan 2-1 ndaj Laçit ndërkohë që prej pak ditësh kanë vënë këmbë në shtëpinë e tyre, të re, Kompleksin e klubit , një investim i jashtëzakonshëm që shërben për një të ardhme të sigurt dhe të shëndetshme.
Dritan Mehmetit i duhet të menaxhojë energjitë duke patur në fokus edhe sfidën e kthimit në mesjavë ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, por Partizani e ka organikën për ta bërë diçka të tillë, dhe niset i favorizuar përballë një Teute që në kampionat si objektiv të vetëm ka qëndrimin larg zonës së mbijetesës dhe të gjithë vëmendjen e ka te Kupa.
Objektiv që është vënë në rrezik maksimal pas humbjes 2-1 në gjysmëfinalen e parë me Laçin, dhe përmbysja në mesjavë ndaj kurbinasve është sfida e jetës për bregdetarët, që të shkëputur me 9 pikë nga zona e rënies janë pa shumë pretendime në kampionat, ku në takimin e fundit u ndalën në barazim 0-0 me Skënderbeun e vendit të fundit.



