Kategoria Superiore

Partizani triumfon ndaj Skënderbeut dhe mbyll fazën e parë si kryesues

Faza e parë e Kategorisë Superiore u mbyll zyrtarisht sot me sfidën e fundit të javës së 9, Partizani-Skënderbeu, që u mbyll me fitoren e “të kuqve” 3-1, rezultat ky që i ngjiti ata në krye të renditjes me 17 pikë të grumbulluara.

Ashtu si ndeshjet e djeshme, që prodhuan plot gola, nuk mbeti pas as takimi i sotëm në “Selman Stërmasi”, ku u shënuan plot 4 gola dhe duke u shtuar edhe 16 të ditës së djeshme, java e 9 bëhet java me më shumë gola në Superiore, plot 20 të tillë.

Sa i përket takimit, Partizani i nisi vrullshëm me një sulm në krahun e djathtë, por dyluftimi mes Bardhit dhe Ditës, solli vetëm një goditje nga këndi, nga e cila erdhi edhe goli i avantazhit për vendasit, ku Belica kërceu më shumë se të gjithë dhe devijoi topin në rrjetë.

Reagimi i korçarëve ishte i vakët dhe në minutën e 19’ Partizani gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me mesfushorin Bruno Telushi. Ky i fundit mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje dënimi dhe duke shfrytëzuar një çarje të gabuar të murit korçar, dërgoi topin për herë të dytë në rrjetë.

Goli i dytë vuri në qetësi Partizanin, ndërsa Skënderbeu filloi të dalë më shpesh nga gjysmëfusha, të qarkullojë dendur topin dhe të tentojë rihapjen e ndeshjes, gjë që e bëri vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë, me golin e shënuar nga Nazmi Gripshi.

Pjesa e dytë nisi e luftuar nga të dy skuadrat, por ishte sulmuesi shkodran Erald Çinari, që në minutën e 60’ mori bukur topin në zonë dhe me një qetësi për t’u admiruar, mposhti për herë të tretë portierin Koliçi.

Pas këtij goli, trajneri Franco Lerda filloi të mendojë për takimin e të hënës ndaj Kukësit, ndërsa edhe kolegu i tij Ilir Daja bëri disa ndërrime dhe në minutat e fundit korçarët vunë 2-3 herë në provë Alban Hoxhën, por pa arritur të rihapin takimin.

Fiton kështu Partizani, që pas fazës së parë, udhëheq me 17 pikë dhe tregon se mbetet kampioni në fuqi dhe skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon, e ndjekur nga Bylisi me 16 pikë dhe Vllaznia e Teuta me 15 pikë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency