Partizani, zbulohen objektivat e merkatos, i pari Cardoso
Partizani ka gjetur kursin e duhur me Starovën, por, pas dështimit të projektit veror me thuajse gjithë blerjet e afruara nga stafi italian, tanimë të ngelur në klasë në kampin e kuq, nevoja për përforcime është evidente. Janari është pranë dhe te 15 herë kampionët kanë nisur punën për të sjellë në skuadër elementët e duhur për t’i vënë në dispozicion të Starovës, duke siguruar madje edhe përforcimin e parë. Vëmendje në kampionatin maqedonas, nga ku afrimi i parë pritet të jetë Lukas Ferreira Cardoso, sulmuesi brazilian që vjen nga skuadra e Pelisterit, ku këtë sezon ka shënuar 6 gola në 13 ndeshje në kampionat. 23-vjeçari mund të luajë si në qendër ashtu dhe në të dy krahët e sulmit dhe pritet të sjellë te Partizani golat nga një repart që deri më tani ka stonuar. Lucas Cardoso është një futbollist teknik, shumë i shpejtë dhe i saktë para portës dhe falë eksperiencës dyvjeçare në kampionatin fqinj besohet se do të integrohet shpejt në mekanizmat e Kategorisë Superiore. Ndërkohë po në Maqedoni të kuqtë kanë hedhur sytë edhe nga sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës, Besart Abdurrahimi. 27-vjeçari, ashtu si Lucas, është prej dy sezonesh në kampionatin maqedonas dhe këtë vit ka gjetur shumë pak hapësira në skuadrën tetovare, me Partizanin që shpreson të përfitojë nga kjo situatë dhe të bindë Shkëndijën ta lërë të lirë në janar, duke patur në krahun e tij vullnetin e vetë sulmuesit. Të kuqtë janë vigjilentë dhe në merkaton e Kategorisë Superiore. Prej kohësh pëlqehen Bregu dhe Abazaj, futbollistë që kanë spikatur me Luftëtarin. Janë pa dyshim të preferuar për Starovën dhe po të ishte për trajnerin aktual do ishin synuar pikërisht ata që në verë, me Partizanin që, gjithsesi, nuk i ka humbur shpresat për të arritur te dy talentet e skuadrës gjirokastrite në sesionin e janarit. Dështimi në merkaton e verës, kur u afruan shumë lojtarë, ka shërbyer si mësim dhe në merkaton dimërore Partizani do të synojë pak elementë, por të mirëstudiuar dhe që mund t’i shërbejnë realisht skuadrës aty ku ka më tepër nevojë. Edhe pse për momentin nuk mund të flitet për titullin, Europa është një mision që duhet realizuar me çdo kusht.



