Partizani zyrtarizon lamtumirën me Mustën, por anësori pritet të mbetet në Superiore
Disa minuta më parë, Partizani ka zyrtarizuar shkëputjen e marrëveshjes me Emiliano Mustën. Anësori, firmosi në fillim të sezonit me të kuqtë, megjithatë bashkëpunimi nuk ka zgjatur shumë. Në njoftimin e klubit kryeqytetas theksohet se palët janë ndarë me marrëveshje, ndërsa falenderojnë 29-vjeçarin për kontributin e tij përgjatë këtyre ndeshjeve në pjesën e parë të sezonit.
Tashmë, elbasanasi është i lirë të akomodohet në një tjetër ekip për t’u aktivizuar në pjesën e mbetur të sezoni dhe sipas burimeve të Supersport pritet që së shpejti Musta të bashkohet me Kukësin. Lojtari dhe verilindorët kanë bashkëpunuar edhe në të kaluarën, ekzaktësisht në sezonin 2019-20.
Një përforcim që do të ishte me shumë vlera për verilindorët duke qenë se Musta ka qenë ndër më të dalluarit në momentin kur ka veshur fanellën e Kukësit, ndërsa eksperienca e tij në Superiore është një plus i madh për një skuadër që pretendon titullin. Megjithatë, një opsion disi më i largët për anësorin është edhe Kosova, me skuadrën e Ballkanit që ka shprehur interesin e saj, sidomos pas zyrtarizimit të trajnerit Ilir Daja me të cilin lojtari bashkëpunoi te Partizani.



