Pas akordit me mbrojtësin e Atleticos, Newcastle kthen vëmendjen nga lojtari i Barcelonës
Pozitat e vështira në klasifikim (vendi i parafundit në Premier League), bëjnë që klubi i Newcastle të tregohet aktiv në këtë merkato të janarit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për pronarët e rinj arabë të cilët duan të shfaqin të gjithë potencialin e tyre ekonomik dhe të afrojnë emra të konfirmuar në ekipin e “qymyrxhinjve”.
Goditja e parë në merkato për to ishte Kieran Trippier nga Atletico Madrid, ndërsa i radhës pritet të jetë sërish një futbollist i repartit difensiv. Bëhet fjalë për Samuel Umtiti të Barcelonës, me katalanasit që kërkojnë të lirohen sa më parë nga paga e francezit.
Megjithatë, transferimi mund të bëhet i mundur vetëm nëpërmjet formulës së huazimit dhe pa të drejtën e blerjes në fundin e sezonit pasi mbrojtësi kërkon të rikthehet sërish në Katalonjë. 28-vjeçari pretendon të bëhet pjesë e një klubi që luan në Kupat e Europës dhe te Newcastle vështirë se mund ta arrijë këtë synim, ndaj është dakord që të transferohet aty, por vetëm për gjashtë muajt e mbetur të sezonit.



