Pas Chelseat, edhe City ‘shënjestron’ Bonuccin
Në Angli të gjithë janë të ‘çmendur’ pas Leonardo Bonuccit. Qendërmbrojtësi italian është një nga më të mirët në rolin e tij dhe duke parë vështirësitë që po kalon Milani, është nga të paktit futbollistë me peshë, që mund të arrihet në merkaton e janarit.
Kështu, pas Antonio Contes që e kontaktoi personalisht kapitenin e Milanit, për t’i kërkuar transferimin në Londër, edhe Manchester City duket gati të bëjë një sforcim për qendërmbrojtësin.
Guardiola e ka shprehur qartë se dëshiron një mbrojtës në janar dhe Bonucci duket futbollisti idela për spanjollin, sepse është një mbrojtës që luan mjaft mirë me topin. Manchester City po ecën me një ritëm të shkëlqyer si në kampionat, ashtu edhe në Champions dhe Kupa, ndaj duket se bosët e skuadrës janë të gatshëm të bëjnë një sforcim, për të plotësuar dëshirat e Guardiolës.
Nga ana tjetër, edhe te Milani do të ishin të kënaqur nëse do t’u vinte një ofertë e mirë, pasi kanë nevojë për para, me qëllim që të rregullojnë bilancin për t’iu përmbajtur Fair Play-t Financiar.



