Pas gjashtë muaj e gjysmë në Selman Stermasi, herën e fundit Tirana shënonte 6 gola
Me impiantin kombëtar, Air Albania që ka mbyllur portat për t’u përgatitur për finalen e madhe të Conference League më datë 25 maj, Tirana detyrohet të rikthehet në shtëpinë e saj të vërtetë, Selman Stermasi.
Hera e fundit kur bardheblutë shkelnin barin e Selman Stermasit ishte në fillimin e këtij sezoni, saktësisht më datë 13 tetor të vitit 2021. Luhej ndeshja e raundit të parë në Kupën e Shqipërisë dhe kryqytetasit triumfuan me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Shkumbinit.
Ndërkohë, e fundit në kampionat ishte ajo e datës tre tetor ndaj Laçit, ku Tirana fitoi me rezultatin 2-0 duke shfrytëzuar dy autogolat e kurbinasve. Tashmë, me fushën e rigjeneruar pas rikonstruksionit, të besuarit e trajnerit Shehi do të presin të dielën në orën 16:45, Kastriotin. Ndeshja ndaj krutanëve mund të rezultojë speciale për Tiranën e cila ka shansin e parë për të fituar titullin kampion, ku në fakt do t’iu duhet edhe “ndihma” e Kukësit.
Nëse verilindorët triumfojnë në premierën e tyre në Kukës Arena dhe Tirana mposht krutanët, atëherë titulli do të ishte një çështje e mbyllur edhe matematikisht ndërsa bardheblutë mund të festonin pranë tifozerisë së tyre. Ndaj, rikthimi në Selman Stermasi, shtëpinë e tyre, duket se ka ardhur në momentin e duhur për Tiranën.



