Pas mesfushorit Laçi humbet një tjetër element, kurbinasit mbeten pa kapiten
Pas largimit të Ardit Deliut, Laçi humbet brenda ditës një tjetër element. Fjala është për Aleksandar Ignjatovic i cili mbante edhe shiritin e kapitenit te kurbinasit. Mbrojtësi serb ishte pjesë e Laçit prej tre vitesh dhe ishte shndërruar në një lider të prapavijës teksa në këtë sezon të Superiores regjistroi 22 paraqitje me fanellën bardhezi të kurbinasve.
Gjithsesi, duket se 34-vjeçari e plotësoi ciklin e tij te Laçi teksa lajmin për mbylljen e aventurës me kurbinasit e njoftoi vetë Ignjatovic që me anë të një reagimi në rrjetet sociale theksoi se ishte koha për të thënë mirupafshim.
“Është koha për të thënë mirupafshim, dua të falenderoj të gjithë ata që kanë qenë me mua në këtë rrugëtim prej tre sezonesh me Laçin. Gjatë këtyre viteve ia dolëm të arrinim suksese historike për klubin. I uroj më të mirën të gjithëve”, mbyll Ignjatovic.




