Pas Pirlos edhe Xavi Hernandez paralajmëron lamtumirën: Ky, viti fundit!
Vetëm pak ditë nga lamtumirë e Andrea Pirlos, një tjetër “regjizor” i madh i futbollit modern, Xavi Hernandez, lajmëron tërheqjen nga futbolli. 37-vjecari, ish-kapiten e Barcelonës, që luan nga viti 2015 në Katar te Al Sadd, tregoi qëllimin e tij për të varur këpucët në gozhdë.
“Kam patur fatin të luaj gjatë dhe të mos pësoj dëmtime të rënda, por mendoj se parabola e karrierës sime është progresivisht në zbritje. E ndjej që po lodhem më shumë dhe e kam të vështirë të rikuperoj. Sigurisht që ky do të jetë sezoni im i fundit si futbollist. Synoj që vitin e ardhshëm të pajisem me licencën e trajnerit dhe të nis një karrierë të re.”
Xavi Hernandez është një nga futbollistët më virtuozë që ka njohur futbolli botëror. E ka nisur karrierën te Barcelona në vitin 1998 dhe për 17 vite më radhë ka veshur fanellën “blaugrana”. Me katalanasit ka zhvilluar në total 767 ndeshje, duke shënuar 85 gola. Ndër trofetë më të rëndësishëm që ka në “palmaresin” e tij tij janë 8 tituj të La Ligas dhe 4 Champions League.



