La Liga

Pasuesi i Koeman te Barça, të gjitha rrugët të çojnë në një emër

Ronald Koeman i përket tashmë historisë së Barcelonës, pasi është shkarkuar menjëherë pas humbjes ndaj Rayo Vallecanos dhe drejtuesit e klubit katalan janë vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e ekipit.

Mediat spanjolle zbulojnë se duke qenë se sfida e ardhshme është vetëm dy ditë më vonë ndaj Deportivo Alaves, drejtuesit e klubit pritet t’ia besojnë drejtimin e përkohshëm të skuadrës, trajnerit Sergi Barjuan, i cili është aktualisht trajner i Barcelonës B.

Ky i fundit pritet të drejtojë edhe seancën e sotme stërvitore, që ishte planifikuar të zhvillohej në orën 11:00 të paradites, por pas shkarkimit të Koeman, është shtyrë për t’u zhvilluar në orën 17:00 me dyer të mbyllura.

Sa i përket trajnerit të ri të përhershëm, të gjitha rrugët të çojnë te Xavi Hernandez. Ky i fundit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të marrë drejtimin e katalanëve, skuadër në të cilën është rritur dhe ka shkruar historinë si futbollist.

Vetëm pak ditë më parë Xavi deklaroi gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në pankinën e Barcës dhe së fundi mësohet se ka pasur edhe kontakte direkte me presidentin Joan Laporta, megjithatë para se të firmosë, ish kapiteni do të kërkojë edhe plotësimin e disa kushteve.

Aktualisht Xavi drejton Al Sadd në Qatar, po ka një klauzolë në kontratë, që mund të largohet menjëherë, nëse i vjen një ofertë nga Barcelona, ndaj nëse arrin marrëveshjen, mund të fluturojë drejt Katalunjës.

Plani B për momentin mbetet Marselo Gallardo, trajneri aktual i River Plate, që po bën mjaft mirë me klubin argjentinas dhe gëzon simpatinë e Laportës, megjithatë problem mbetet fakti që për të duhet paguar edhe një dëmshpërblim për prishjen e kontratës aktuale.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency