Pejic kthehet te Kukësi: Ja pse pranova propozimin e Gjicit
Pero Pejic rikthehet në Shqipëri për të kontribuar në ish-skuadrën e tij Kukësin, ku pritet vetëm zyrtarizimi i tij si drejtor i klubit verilindor. Ish-sulmuesi kroat, ndër më të mirët në vitet e fundit në kampionatin shqiptar, tregon për Top Channel se si lindi kjo ide.
“Para 10 ditësh isha këtu dhe u takova me Safetin, më pas ika në Kroaci dhe erdha pashë finalen e Kupës mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Ndenja dy orë me presidentin e Kukësit dhe ai më kërkoi që të ndihmoj skuadrën.”
Pejic ka luajtur me disa skuadra në Shqipëri. Ai tregon se marrëdhënia e tij me Kukësin është e veçantë.
“Unë me Safetin jemi si familjarë, prandaj pranova dhe erdha këtu për të ndihmuar skuadrën që të kthehet në vendin e parë.”
Këto ditë pritet vetëm zyrtarizimi i tij dhe plani është që skuadra të futet në merkato në këtë muaj për të filluar në korrik fazën përgatitore të plotë. Po cili do të jetë roli i Pejicit?
“Kam dashur ta ndihmoj ekipin si menaxher. Vitin e fundit kam ndjekur çdo ditë seancat stërvitore të Dinamos së Zagrebit dhe kam mësuar shumë e kam krijuar përvojë, por nuk jam ende gati për trajner.”
Megjithatë, Pejic ka qenë ndër të fundit sulmues tek Kukësi që në sezonin 2014/15 ka shënuar 31 gola dhe në sezonin 2016/2017 28 gola, një profil i tillë mungon prej vitesh në Superiore.
“Nëse do një sulmues të mirë që shënon 20-25 gola në sezon, duhet të paguash shumë.”
Po a i ka garantuar Safeti se e ka buxhetin financiar për ta ringritur skuadrën?
“Po, po ai më ka garantuar që do të shpenzojë para për këtë sezon dhe ato pasardhëse”.



