Penalltia e humbur ndaj Juves, ka lënë pasoja te Higuain
Penalltia që humbi në sfidën Milan-Juventus, duket se vazhdon t’i peshojë ende Gonzalo Higuainit, edhe tashmë që ndodhet shumë larg Italisë dhe luan për skuadrën londineze të Chelseat.
Kjo u pa qartë dje, në sfidën e vlefshme për FA Cup, ndërmjet Chelseat dhe Sheffield W., ku sulmuesi argjentinas bëri debutimin me fanellën e bluve, por nuk guxoi të merrte përsipër ekzekutimin e një penalltie.
Gjithçka ndodhi në minutën e 29’ të takimit, kur u akordua një penallti për Chelsean dhe braziliani Willian i ofroi topin Higuainit për ta goditur, por ky i fundit refuzoi, duke lënë që vetë fantazisti të godasë 11-metërshin për ta shndërruar në gol.
Shumë njerëz e komentuan këtë gjest të Higuain, si një mungesë të theksuar të personalitetit, por pati edhe të tjerë që e përshëndetën vendimin e tij për të mos kërkuar menjëherë protagonizmin te skuadra e re.
Gjithsesi vetë Sarri, i cili kërkoi me ngulm Higuainin në Londër, duket i kënaqur nga performanca e sulmuesit, të cilin e la në fushë për plot 82 minuta, për ta zëvendësuar më pas nën duartrokitjet e publikut.



